Ukraina me kryeministër të ri

Parlamenti i Ukrainës (Verhovna Rada) ka konfirmuar emërimin e Serhii Koretskyi, si kryeministrin e ri të vendit. Për zgjedhjen e tij votuan 289 deputetë.
Koretskyi vjen në krye të qeverisë nga posti i drejtorit ekzekutiv të kompanisë shtetërore të energjisë Naftogaz, ndërsa më parë drejtoi edhe Ukrnafta, prodhuesin më të madh të naftës në Ukrainë.
Ai nuk ka ndërtuar karrierë politike, por ka më shumë se dy dekada përvojë në sektorin privat, shkruajnë mediat.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se prioritetet e qeverisë së re do të jenë përgatitja për dimrin e ardhshëm, mbrojtja e infrastrukturës energjetike, stabilizimi i ekonomisë dhe menaxhimi më efikas i ndihmës ndërkombëtare.
Para deputetëve, Koretskyi tha se qeveria do të përqendrohet në furnizimin e plotë të forcave të armatosura, forcimin e industrisë ushtarake, mbështetjen e qytetarëve dhe sistemit social, veçanërisht për banorët pranë vijës së frontit.
Ai theksoi se përgatitja për sezonin e ngrohjes dhe ruajtja e stabilitetit ekonomik do të jenë ndër detyrat kryesore, krahas thellimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe zbatimit të programeve të strehimit.
Në fund të vitit 2022, ai mori drejtimin e Ukrnafta dhe Ukrtatnafta, duke i kthyer kompanitë nga humbjet shumëvjeçare në fitime rekord, me rritje të prodhimit dhe modernizim të aseteve.
Në vitin 2025 ai u emërua në krye të Naftogaz, ku rriti rezervat e gazit në mbi 13 miliardë metra kub dhe siguroi miliarda euro financim nga institucionet financiare ndërkombëtare, megjithëse planet për rritjen e prodhimit u penguan nga sulmet ruse.
Tashmë, sfida më e madhe për kryeministrin e ri do të jetë të dëshmojë se mund ta zbatojë përvojën e tij menaxheriale në drejtimin e Ukrainës gjatë kohës së luftës, duke siguruar njëkohësisht mbështetje politike dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요
공식 발표 ↔ 진영별 보도
+14
+5