Shisnin veshje dhe aksesorë të markave luksoze të kontrabanduara, procedohen 9 administratorë në Tiranë – pamje nga operacioni policor

Policia e Shtetit ka publikuar pamje nga operacioni “Illegal trade” ku janë proceduar nëntë admistratorë në Tiranë për kontrabandim të veshjeve dhe aksesorëve të markave luksoze.
Policia njofton se si rezultat i verifikimeve të vazhdueshme dhe hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, me qëllim goditjen e paligjshmërive në këtë fushë, u finalizua në bashkëpunim me Prokurorinë, operacioni i koduar “Illegal trade”, në kuadër të të cilit, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u kryen kontrolle në 8 subjekte me aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve të markave luksoze.
“Nga kontrollet në këto subjekte u sekuestruan: 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, 1 laptop, 11 çanta dhe veshje të markave luksoze, pa dokumentacion shoqërues që provon origjinën dhe zhdoganimin”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se të ardhurat nga shitjet e tyre nuk deklaroheshin në organet tatimore, dhe se në njërin subjekt, shiteshin produkte, pa kuponë, gjersa për këtë të fundit u mor masa e pezullimit të ushtrimit të aktivitetit.
Policia njoftoi tutje se janë proceduar penalisht 9 administratorë/përfaqësues të subjekteve, të cilët nuk deklaronin të ardhurat.
Po ashtu janë sekuestruar pajisje elektronike dhe produkte të markave luksoze.
Në përfundim të veprimeve proceduriale nisi procedimi penal për shtetasit Gj. H., N. R., S. S., A. D., B. D., A. L., A. L., K. Gj. dhe J. B., administratorë ose përfaqësues të subjekteve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요