Breshëri goditi Istogun, por mbrojtja shpëtoi plantacionin e boronicës në Gurakoc

Breshëri i fuqishëm që goditi ditët e fundit disa zona të Komunës së Istogut ka shkaktuar dëme në kultura të ndryshme bujqësore, por disa pemishte moderne të boronicës në fshatin Gurakoc kanë arritur t’i shmangin pasojat falë sistemeve mbrojtëse të instaluara paraprakisht.
Sipas një njoftimi të publikuar nga “Mjedrat në Kosovë”, në këtë zonë janë krijuar pemishte me boronicë në një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh, ku dëmet nga breshëri kanë qenë pothuajse të papërfillshme në pjesët e mbuluara.
“Breshëri goditi Istogun, por jo boronicën e Istogut”, thuhet në njoftim, duke u theksuar se infrastruktura mbrojtëse është projektuar dhe instaluar paralelisht me mbjelljen e pemishtes, raporton Telegrafi.
Sipas këtij njoftimi, investimi në sisteme mbrojtëse për kulturat bujqësore nuk duhet të shihet si luks, por si një masë e domosdoshme për përballimin e kushteve gjithnjë e më të paqëndrueshme klimatike.
“Ky është një shembull i qartë se investimi në sisteme mbrojtëse nuk është luks, por domosdoshmëri. Në një klimë gjithnjë e më të paqëndrueshme, kjo mbetet alternativa më e sigurt për një bujqësi të suksesshme”, thuhet në reagim.
“Mjedrat në Kosovë” ka theksuar se shumë pemishte me kultura të ndryshme në zonat përreth mund të kenë pësuar dëme të konsiderueshme nga i njëjti fenomen atmosferik, duke rikujtuar rëndësinë e masave parandaluese.
“E qartë se parandalimi kushton, por pasojat e mungesës së tij janë edhe më të kushtueshme”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요