Fotografia që bashkoi Messin dhe Lamine Yamalin: Joan Monfort rrëfen historinë pas imazhit ikonik

Ajo që nisi si një fotosesion i zakonshëm për një kalendar bamirësie të organizuar nga gazeta Sport, Barcelona dhe UNICEF në vitin 2007, përfundoi duke krijuar një nga fotografitë më ikonike në historinë e futbollit modern.
Fotografi katalanas Joan Monfort, autori i imazhit ku Lionel Messi mban në krahë dhe i bën banjë foshnjës Lamine Yamal, ka rrëfyer për Flashscore historinë e asaj dite dhe mënyrën se si një fotografi e zakonshme u shndërrua në një simbol të jashtëzakonshëm, ndërsa dy protagonistët përgatiten të përballen në finalen e Kupës së Botës 2026.
“Për mua ishte thjesht një tjetër kalendar. Qëllimi ishte të argëtoheshim dhe t'i bënim edhe fëmijët të kalonin mirë me kampionët”, tha Monfort, i cili zbuloi se ditët e fundit ka marrë mbi 200 kërkesa për intervista.
Në atë kohë, Messi ishte vetëm 20 vjeç dhe sapo kishte nisur të bënte emër te Barcelona.
“Të gjithë thoshin se ai djalosh do të bëhej i jashtëzakonshëm, por ekziston një hendek i madh mes të qenit një talent i madh dhe të bëhesh ai që u bë Messi. Sot ai ka arritur një nivel të jashtëzakonshëm. Nëse Lamine Yamal arrin të na japë qoftë edhe gjysmën e asaj që na ka dhënë Messi, kjo do të jetë shumë”.
Monfort kujton edhe momentin kur Messi u përball me foshnjën tre muajshe.
"Lo de esa foto es una locura. Él era un bebé y ahora estamos los dos en una final de una Copa del Mundo".
Lionel Messi, sobre la histórica foto junto a Lamine Yamal tomada para UNICEF.pic.twitter.com/8TFlbtaqYS
— Pablo Giralt (@giraltpablo) July 18, 2026
“E mbaj mend shumë mirë shprehjen e tij. Ishte fytyra e dikujt që po mendonte: 'O Zot, nuk di si ta mbaj një të porsalindur'”.
Megjithatë, ai moment i improvizuar krijoi një fotografi që 19 vite më vonë ka marrë një domethënie krejtësisht tjetër.
“Është e pabesueshme të mendosh se ata u takuan kur njëri ishte vetëm tre muajsh dhe tjetri 20 vjeç, ndërsa tani do të përballen sërish në skenën më të madhe që mund të ekzistojë për një futbollist”.
Për Monfortin, gjithçka që ndodhi më pas duket e pashpjegueshme.
“Ka aq shumë rastësi, sa është e pamundur të gjesh një shpjegim logjik. Ndoshta gjithçka ishte e shkruar diku. Nuk e dimë nga kush apo ku, por është shumë e vështirë të shpjegohet se si këta të dy përfunduan bashkë në një fotografi kur njëri ishte foshnjë dhe tjetri vetëm një talent premtues. Quajeni mrekulli, rastësi kozmike apo çfarë të doni”.
Fotografia u bë virale në mbarë botën pasi babai i Lamine Yamalit e publikoi në rrjetet sociale dy vite më parë.
“Ka fotografi ikonike, si ajo e Muhammad Alit mbi kundërshtarin e rrëzuar, por në atë kohë nuk ekzistonin rrjetet sociale. Kjo fotografi është parë pothuajse nga e gjithë bota. Kush nuk e pa gjatë Euro 2024, e ka parë tani”.
Pas rikthimit të fotografisë në qendër të vëmendjes, Monfort pati mundësi të bisedonte edhe me vetë Lamine Yamalin.
“Duke folur me Laminen, e kuptova se kjo fotografi e bën vërtet të lumtur. Në fund të fundit, jo çdokush ka një fotografi ku Lionel Messi i bën banjë kur është foshnjë”.
Një fotografi e papërsëritshme, që sot duket thuajse profetike, pasi dy protagonistët e saj do të jenë përballë njëri-tjetrit në finalen e Kupës së Botës, në një histori që pak kush do ta kishte imagjinuar në vitin 2007./Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요