Dieta keto mund të frenojë tumoret në një pjesë të zorrëve, por t’i nxisë në një tjetër

Studimi i ri te minjtë zbuloi efekte krejtësisht të kundërta në zorrën e hollë dhe atë të trashë, ndërsa shkencëtarët dyshojnë se çelësi nuk janë ketonet, por mënyra si qelizat përpunojnë yndyrat
Dieta ketogjene prej vitesh është ndër regjimet më të njohura të të ushqyerit. Disa e përdorin për humbje peshe, të tjerë për kontrollin e diabetit, ndërsa vitet e fundit shkencëtarët po hetojnë edhe ndikimin e saj të mundshëm në zhvillimin e disa llojeve të kancerit.
Megjithatë, një studim i ri i publikuar në revistën prestigjioze Nature tregon se përgjigjja nuk është aspak e thjeshtë. Studiuesit zbuluan se e njëjta dietë mund të ketë efekte të kundërta në pjesë të ndryshme të zorrëve: në zorrën e trashë ngadalësoi zhvillimin e tumoreve, ndërsa në zorrën e hollë nxiti rritjen e tyre te minjtë me predispozitë gjenetike.
Edhe më befasues ishte fakti se shkaku nuk dukej të ishin ketonet, siç ishte menduar më parë, por mënyra se si qelizat e zorrës përpunojnë dhe djegin yndyrat.
Shkencëtarët prisnin një rezultat, por gjetën të kundërtën
Studiuesit e Institutit të Teknologjisë të Masaçusetsit, MIT, donin të kontrollonin nëse efekti mbrojtës i dietës keto, i vërejtur më herët në kancerin e zorrës së trashë, mund të shfaqej edhe në pjesë të tjera të sistemit tretës.
Në eksperiment u përdorën minj të modifikuar gjenetikisht, të cilët kishin prirje për të zhvilluar tumore të zorrëve. Ata u ndanë në tri grupe: një grup ndoqi dietë ketogjene, një grup dietë kontrolli dhe grupi i tretë dietë shumë të pasur me yndyra dhe kalori, e përdorur zakonisht si model për obezitetin.
Rezultatet i befasuan edhe vetë studiuesit.
Minjtë që ndiqnin dietën keto zhvilluan më shumë tumore në zorrën e hollë dhe kishin mbijetesë më të shkurtër sesa ata që ushqeheshin me dietën e zakonshme. Edhe pse nuk u bënë obezë, shkalla e zhvillimit të tumoreve ishte e ngjashme ose edhe më e lartë se te minjtë që ushqeheshin me dietë obezogjene.
Në të njëjtën kohë, në zorrën e trashë dieta keto tregoi efekt të kundërt dhe frenoi formimin e tumoreve, transmeton Telegrafi.
Problemi mund të mos jenë ketonet, por djegia e yndyrave
Deri tani mendohej se efektet e mundshme mbrojtëse të dietës keto lidheshin kryesisht me trupat ketonikë, sidomos me beta-hidroksibutiratin, BHB.
Ky molekul krijohet kur organizmi, për shkak të mungesës së karbohidrateve, fillon të përdorë yndyrat si burim kryesor energjie.
Një studim i vitit 2022 kishte sugjeruar se BHB mund të ulte shumimin e qelizave në zorrën e trashë dhe të pengonte rritjen e tumoreve kolorektale.
Por studimi i ri tregon se ketonet mund të mos jenë faktorët kryesorë.
Studiuesit ndryshuan gjenetikisht proceset e prodhimit dhe përdorimit të ketoneve, por kjo nuk e ndryshoi zhvillimin e tumoreve. Sipas tyre, rolin kryesor e luante oksidimi i acideve yndyrore, pra mënyra se si qelizat e zorrës së hollë djegin yndyrat për energji.
Aktivizohen qelizat burimore të zorrës
Gjatë metabolizmit të yndyrave aktivizohet një familje proteinash të quajtura PPAR. Këto sinjalizojnë qelizat burimore të zorrës që të shumohen më shpejt.
Ky proces mund të ketë dy pasoja.
Nga njëra anë, numri më i madh i qelizave burimore ndihmon në rigjenerimin më të shpejtë të mukozës së zorrës pas sëmundjeve ose dëmtimeve.
Nga ana tjetër, sa më shpesh që ndahen qelizat, aq më i madh mund të jetë probabiliteti që disa prej tyre të pësojnë ndryshime që kontribuojnë në formimin e tumoreve.
Pra, i njëjti mekanizëm që ndihmon riparimin e indeve, në rrethana të caktuara mund të favorizojë edhe zhvillimin e kancerit.
Studimi i ri sfidon një teori të rëndësishme
Rezultatet janë veçanërisht interesante sepse vënë në pikëpyetje idenë se ketonet janë përgjegjëse për efektet e dietës keto në tumoret e zorrëve.
Autorët e studimit i përshkruan ketonet si pothuajse “kalimtarë metabolikë”, ndërsa efektet kryesore lidheshin me përpunimin e sasive të mëdha të yndyrës nga qelizat burimore.
Për këtë arsye, suplementet ose pijet komerciale me ketone nuk pritet të prodhojnë domosdoshmërisht të njëjtat efekte si dieta ketogjene. Rritja e nivelit të ketoneve në gjak nuk nënkupton se në organizëm zhvillohen të njëjtat procese metabolike si gjatë një diete afatgjatë me shumë yndyra dhe shumë pak karbohidrate.
Çfarë do të thotë kjo për njerëzit?
Kufizimi më i rëndësishëm i studimit është se ai u krye te minjtë me predispozitë gjenetike për tumore të zorrëve.
Te njerëzit, kjo mund të krahasohet më së shumti me polipozën adenomatoze familjare, një sëmundje e rrallë e trashëguar që rrit ndjeshëm rrezikun për tumore të zorrëve.
Prandaj, rezultatet nuk mund të zbatohen drejtpërdrejt te njerëzit dhe nuk dëshmojnë se dieta keto shkakton kancer.
Nevojiten studime klinike për të përcaktuar nëse mekanizma të ngjashëm shfaqen edhe te njerëzit, si dhe për të kuptuar pse zorra e hollë dhe zorra e trashë reagojnë kaq ndryshe ndaj të njëjtës dietë.
Mesazhi kryesor i studimit është se efektet e dietave mund të ndryshojnë jo vetëm nga një person te tjetri, por edhe nga një ind në tjetrin. Një regjim që mund të ketë efekt mbrojtës në një pjesë të organizmit, mund të jetë i pafavorshëm në një tjetër. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요