Inagurohen punimet për parkun solar 105 MW në Rahovec

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e Parkut Solar Fotovoltaik me kapacitet prej 105 megavatësh në fshatin Kramovik të Rahovecit, duke e cilësuar projektin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike të Kosovës.
Gjatë ceremonisë, Kurti tha se ankandi i organizuar nga Ministria e Ekonomisë ka dëshmuar një model transparent dhe konkurrues, i cili do të vazhdojë të zbatohet edhe në projektet e ardhshme energjetike.
Sipas tij, çmimi prej 48.88 euro për megavat-orë është rezultat i konkurrencës mes pesë ofertuesve.
"Kapaciteti tregon madhësinë e projektit dhe rëndësinë e tij për sistemin tonë energjetik. Mënyra e përzgjedhjes dhe çmimi konkurrues tregojnë kthesën që qeverisja jonë ka sjellë në projektet e mëdha të energjisë: transparencë e plotë, ku secili ka qasje në gjithë dokumentacionin, investitorët informohen njësoj dhe të gjithë konkurrojnë në kushte të barabarta e të qarta", deklaroi Kurti.
Ai theksoi se projekti ka rëndësi jo vetëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, por edhe për përfshirjen e diasporës në investime, duke bërë të ditur se kompania udhëheqëse e konsorciumit fitues, Orllati Group, është zhvilluar në Zvicër.
Duke folur për planet në sektorin e energjisë së ripërtërishme, Kurti njoftoi se ankandi i radhës për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë nga era deri në 100 megavatë ndodhet në fazën përfundimtare të ofertimit.
Ai bëri të ditur se në këtë proces janë parakualifikuar tre ofertues, nga Franca, Gjermania dhe Kosova, si dhe nga Turqia.
Kurti përmendi gjithashtu se parku eolik në Zatriq me kapacitet prej 70 megavatësh është pranë përfundimit, ndërsa KEK, me mbështetjen e Bankës Zhvillimore Gjermane (KfW), pritet të tenderojë një park të ri solar me kapacitet prej 100 megavatësh.
Në fjalën e tij, kryeministri në detyrë tha se strategjia energjetike e Kosovës synon rritjen e prodhimit vendor përmes modernizimit të termocentraleve me thëngjill, zhvillimit të projekteve të energjisë diellore dhe të erës, investimeve në rrjet, bateri për ruajtjen e energjisë, masave për efiçiencë energjetike dhe integrimit të tregut energjetik me Shqipërinë dhe Evropën.
Ai shtoi se Qeveria synon përdorimin e përgjegjshëm të thëngjillit, me fokus te gazifikimi, ndërsa po shqyrton edhe mundësinë e përdorimit të gazit të lëngëzuar (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në Termocentralin e Vlorës. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요