Gucati pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari: Kushdo që fyen UÇK-në do të përballet me padi

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore ndaj të gjithë personave që fyejnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe veteranët e saj, pasi i akuzuari Eqrem Avdullahu e pranoi fajësinë për kanosjen ndaj tij.
Gucati tha se ka ngritur edhe padi të tjera ndaj personave të cilët e kanë kërcënuar.
“Ju e patë edhe vetë, për personin i cili më ka kërcënu edhe më fyen, po edhe më thotë që unë e marr pagën qe 9 vite pa punu fare në shkollë. Kjo gjë është e pavërtetë, është e paqëndrueshme. Unë ia kam lënë drejtësisë këtë rast edhe drejtësia do të merret me këtë personin. Ky s’është i pari, do të thotë unë kam ngrit shumë padi, edhe të tjera padi që në ditët në vijim, tash janë të ardhura ato prej Gjermanie, prej Austrie, prej vendeve të ndryshme, të cilët e kanë fyer Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës edhe mu si person vetë, apo si kryetar i veteranëve të radhës së invalidëve të luftës. Kështu që, unë i kisha bo ftesë çdo veterani apo çdo invalidi, ata të cilët e ndjejnë veten të fyer nga këta persona të cilët quhen me na shantazhu dhe me shajt luftën e UÇK, të bëjnë padi. Nuk kemi nevojë ne mes veti të fjalosemi, po të bëjmë padi. Secili veteran apo secila familje e dëshmorit edhe invalidi të bëjnë padi dhe ne kemi me iu drejtu drejtësisë, edhe drejtësia është ajo e cila do të merr vendim për këta persona”, tha ai.
Ai bëri të ditur se ka iniciuar padi edhe në Gjermani e Zvicër ndaj personave të tjerë që, sipas tij, kanë fyer UÇK-në dhe atë personalisht.
“Unë i kam bo padi edhe në Zvicër, dy njerëzve i kam bo edhe në Gjermani në Dortmund. Njëri është nga Skenderaj, tjetri është nga Malisheva. Kështu që i kam bërë padi edhe për ata dy personat. Me anë të avokatëve në Gjermani i kam informatat të cilat i kanë kap policia gjermane, kur do ta ekstradojnë nuk e di. Kështu që e presim atë sa më shpejt me ardhë këtu edhe mos t’i harroj çka i kam bo unë. Tash ky zotëria, e patë edhe ju, mua më vjen keq, një burrë i moshuar, shkruan në Facebook, shan, fyen edhe thotë që mbyllet me pushkatim. Unë sot jam gjallë, fatmirësisht kam familje edhe unë. Kemi familje të ngushtë secili prej juve që keni familje. Familja s’e ka ndjerë veten shumë mirë edhe në fund jam kryetar i veteranëve, nuk duhet ta fyejë integritetin tim. S’du t’i lejohet askujt që të merret me integritetin tim”, tha ai.
Kurse, avokati i Gucatit, Halim Shala, tha se qëllimi i tyre është që raste të tilla të marrin epilog ligjor dhe të mbrohet integriteti i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
“Jo, ne po pretendojmë që e vërteta me dalë në shesh për faktin se i njëjti e ka pranu qysh në fazat fillestare pranimin e fajësisë që e ka thënë sot zoti Gucati. Neve kërkesa jonë është që organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare nuk mund të cenohet dhe nuk mund të fyet nga asnjë individ në Republikën e Kosovës të cilët kanë shtetësi të Republikës së Kosovës. Prandaj ne kemi kërkuar dhe do të kërkojmë me vazhdimësi edhe në rastet e tjera, siç ju njoftoi kryetari, janë të hapura nga persona të ndryshëm fizikë, disa me account falco ose fake, disa të tjerë, por që neve kemi iniciuar procedurat për faktin se nuk kanë të ndalur këto linçime publike dhe kanë për qëllim degradimin e institucionit si Organizata e Veteranëve të UÇK-së dhe çdo pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, i akuzuari Eqrem Avdullahu e ka pranuar fajësinë për veprën penale “kanosje”, ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati në Gjykatën Themelore në Drenas.
Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari, gjykata e miratoi atë, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e caktoi për 23 korrik 2026, në orën 11:30.
I akuzuari Eqrem Avdullahu tha se e pranon fajësinë.
“Jam fajtor, e ndjej veten fajtor. Kërkoj falje”, tha ai, raporton KosovaPress.
Avokati i të dëmtuarit Hysni Gucati, Halim Shala, tha se pranimi i fajësisë mund të merret si rrethanë lehtësuese, por sipas tij nuk e zbeh peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar rasti.
Gucati në gjykatë në Drenas, pasi u kërcënua nga një person në Facebook
“Edhe pse i akuzuari e ka pranuar fajësinë, nuk mund ta minimizojë ndjeshmërinë e kësaj vepre penale kur kemi parasysh autoritetin e Gucatit, i cili përfaqëson institucionin më të rëndësishëm mbi bazën e të cilit funksionon Republika e Kosovës. Pranimi i fajësisë mund të pranohet si rrethanë lehtësuese, por nuk mund ta zbehë peshën e kërcënimit dhe pasojat që ka shkaktuar te secili veteran i UÇK-së, familjarët e Gucatit dhe qytetarët e tjerë. Për ta aprovuar këtë pranim të fajësisë, kërkojmë nga ai të na sqarojë në mënyrë më objektive se kush e ka shtyrë që ta bëjë atë postim kaq denigrues. Ne nuk mund të pajtohemi me pranimin e fajësisë pa marrë përgjigje. A e ka shtyrë dikush apo e ka bërë vetë këtë vepër? Në konsultim japim pëlqimin për pranimin e fajësisë në këtë fazë të procedurës”, tha ai.
Gjyqtari Shefqet Baleci tha se gjykata e miraton pranimin e fajësisë, ndërsa aktgjykimi do të shpallet në seancën e radhës.
“Miratohet pranimi i fajësisë. Gjykata sot nuk mund ta bëjë shpalljen e aktgjykimit. Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 23.07.2026, në ora 11:30”, tha ai.
Sipas prokurores Albiona Musaj, ekziston dyshimi i bazuar mirë se më 3 qershor 2026, rreth orës 13:10, Eqrem Avdullahu, përmes rrjetit social Facebook, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e ka kanosur seriozisht Hysni Gucatin.
Ajo tha se në një faqe në Facebook me emrin “Diaspora në Krye” ishte publikuar një fotografi e Gucatit me mbishkrimin: “Prokuroria heton Hysni Gucatin – morri rrogë për 19 vite si sekretar shkolle pa shkuar në punë”, ndërsa më pas Avdullahu, nga llogaria e tij personale në Facebook me emrin “Eqrem Avdullahu”, kishte komentuar: “Këtë derr duhet pushkatu”.
Sipas Prokurorisë, me këtë koment tek i dëmtuari është shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën, me ç’rast i akuzuari dyshohet se ka kryer veprën penale “kanosje”. /KP/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요