“Duart larg nga pronat e Universitetit të Prishtinës”, Hajrullahu kërkon lirimin e objektit në Mitrovicën e Veriut

Pas skadimit të afatit të vendosur për lirimin e hapësirave të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nga Fakulteti i Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, ka kërkuar kthimin e pronës dhe zbatimin e ligjit.
Në një deklaratë për KosovaPress, Hajrullahu akuzoi institucionin në veri se po tenton të përvetësojë identitetin e Universitetit të Prishtinës dhe se po shfrytëzon në mënyrë të paligjshme ish-objektin e Fakultetit të Metalurgjisë, i cili, është pronë e UP-së.
“I ashtuquajturi Universiteti i Prishtinës me seli në Mitrovicë, që shpresoj se një ditë, në përputhje me ligjet e Republikës së Kosovës, do të jetë Universiteti i Mitrovicës Veriore, po tenton, ndër të tjera, të vjedhë edhe identitetin e Universitetit të Prishtinës. Ata kanë uzurpuar ish-Fakultetin e Metalurgjisë, i cili është pronë e Universitetit të Prishtinës”, tha Hajrullahu.
Rektori theksoi se të gjithë ata që shfrytëzojnë pronat e universitetit pa bazë ligjore do të përballen me procedurat ligjore.
“Sikurse edhe në rastet e tjera, qoftë për ndërtimet në kampusin e Universitetit të Prishtinës apo për uzurpimin e pronave të Fakultetit Teknik dhe Fakultetit të Bujqësisë, të gjithë, pa përjashtim, do të ballafaqohen me fuqinë e ligjit. Do të kërkohet largimi i tyre nga pronat e Universitetit të Prishtinës, të cilat po shfrytëzohen në mënyrë ilegale”, u shpreh ai.
Hajrullahu u bëri thirrje publike të gjithë shfrytëzuesve të paligjshëm që të lirojnë pronat e UP-së.
“Apeli publik është që të gjitha pronat e shfrytëzuara në mënyrë ilegale t’i rikthehen pronarit legjitim – Universitetit të Prishtinës. Qoftë në kampusin qendror, te Fakulteti Teknik, Fakulteti i Bujqësisë apo ish-ndërtesa e Fakultetit të Metalurgjisë në Mitrovicën Veriore, duart larg nga pronat e Universitetit të Prishtinës. Në të kundërtën, do të vazhdojnë të përballen edhe më intensivisht me fuqinë e ligjit përmes procedurave të rregullta”, deklaroi ai.
KosovaPress ka kërkuar koment edhe nga Dekanati i Fakultetit të Shkencave Teknike në Mitrovicën e Veriut, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje. Sipas njoftimit të fakultetit, institucioni ndodhet në pushim kolektiv deri më 21 gusht.
Universiteti i Prishtinës njofton se në periudhën 9 shkurt – 10 mars 2026 i ka dërguar Fakultetit të Shkencave Teknike kërkesë zyrtare për lirimin e objektit brenda një afati 30-ditor. Në kërkesë thuhet se fakulteti duhet ta lirojë vullnetarisht pronën dhe t’ia dorëzojë atë pronarit ligjor – Universitetit të Prishtinës – ose të iniciojë procedurë për rregullimin e marrëdhënies juridike për shfrytëzimin e objektit, për të cilën UP ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim. /KP/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요