ISHP paralajmëron për rrezikun nga uji i pasigurt në Gostivar, apelon qytetarët që të ndjekin rekomandimet deri në njoftimin e radhës

Instituti i Shëndetit Publik publikoi sot rekomandime për qytetarët e Gostivarit, pas ndalimit të përdorimit të ujit për pije nga sistemi i ujësjellësit të qytetit, të cilin Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e vendosi më 17 korrik.
Nga ISHP u bëjnë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë rreptësisht rekomandimet deri në njoftimin zyrtar nga institucionet kompetente se uji është sërish i sigurt për pije.
Aktualisht uji nga ujësjellësi i qytetit nuk guxon të përdoret për pije, as pas zierjes, përveç nëse institucionet kompetente japin rekomandim tjetër.
Për pije, përgatitje të ushqimit, larjen e frutave dhe perimeve që konsumohen të freskëta, përgatitjen e akullit, kafesë, çajit, lëngjeve dhe ushqimit për foshnja, qytetarët duhet të përdorin ekskluzivisht ujë të ambalazhuar në fabrikë, përkatësisht ujë në shishe.
ISHP rekomandon larje të rregullt të duarve me sapun dhe ujë të sigurt, ndërsa nëse kjo nuk është e mundur, të përdoren mjete dezinfektuese me bazë alkooli kur duart nuk janë dukshëm të ndotura. Edhe për larjen e dhëmbëve duhet të përdoret ekskluzivisht ujë i sigurt, ndërsa gjatë dushit dhe larjes rekomandohet përdorimi i ujit të sigurt ose të zier, duke pasur kujdes që ai të mos gëlltitet.
Në rekomandime thuhet se ushqimi duhet të përpunohet mirë termikisht dhe të shmanget përgatitja e ushqimeve që nuk gatuhen nëse nuk ka ujë të sigurt.
Gjithashtu, rekomandohet përdorimi i enëve dhe takëmeve njëpërdorimëshe për të zvogëluar nevojën për larje.
Për objektet hotelierike vlejnë rekomandime shtesë: të mos përdorin ujë nga ujësjellësi për përgatitjen e pijeve, larjen e frutave dhe perimeve, si dhe për prodhimin e akullit, ndërsa ushqimi të përgatitet ekskluzivisht me ujë të sigurt.Në kopshtet e fëmijëve, fëmijët duhet të pinë vetëm ujë në shishe, të mos përdoren rubinetat për mbushjen e shisheve dhe ushqimi të përgatitet me ujë të sigurt.
ISHP paralajmëron se uji i pasigurt mund të jetë burim i infeksioneve bakteriale, virale dhe parazitare që shkaktojnë gastroenterit.
Qytetarët që do të ndiejnë simptoma si diarre, të vjella, të përziera, dhimbje barku, temperaturë të lartë, dobësi ose shenja të dehidratimit duhet të paraqiten menjëherë te mjeku amë ose në institucionin më të afërt shëndetësor. Kujdes i veçantë rekomandohet për foshnjat, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike ose me imunitet të dobësuar.
Nga Instituti u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin rregullisht njoftimet e institucioneve kompetente. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요