"Ai do të prezantohet nesër", Laporta konfirmon ardhjen e lojtarit të ri te Barcelona

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka konfirmuar se sulmuesi gjerman Karim Adeyemi do të prezantohet zyrtarisht si futbollisti më i ri i klubit gjatë ditës së nesërme.
Duke folur për mediat pas kthimit në Barcelonë, ku kishte ndjekur nga afër finalen e Kupës së Botës në New York, Laporta i dha fund çdo dileme rreth transferimit të yllit të Borussia Dortmundit.
"Ai do të prezantohet nesër", u shpreh shkurt presidenti i klubit katalanas, duke konfirmuar se gjithçka është gati për zyrtarizimin e marrëveshjes.
Adeyemi ka kryer me sukses kontrollet mjekësore javën e kaluar dhe tashmë pritet vetëm ceremonia e prezantimit.
Barcelona ka arritur marrëveshje me Borussia Dortmundin për transferimin e 23-vjeçarit, në një operacion me vlerë 22 milionë euro, ndërsa bonuset e lidhura me performancën mund ta çojnë shumën totale në 31 milionë euro.
Sulmuesi gjerman do të firmosë një kontratë afatgjatë deri në verën e vitit 2031, duke u bërë një nga projektet kryesore të klubit për të ardhmen.
Drejtuesit blaugranas besojnë se shpejtësia, dinamizmi dhe aftësitë e tij në repartin ofensiv do t'i japin trajnerit një alternativë të rëndësishme në sezonin e ri.
Gjatë deklaratës së tij, Laporta shprehu gjithashtu krenarinë për faktin se tetë futbollistë të Barcelonës triumfuan me përfaqësuesen e Spanjës në Kupën e Botës, duke e cilësuar këtë një dëshmi të cilësisë së akademisë dhe projektit sportiv të klubit.
Nga ana tjetër, presidenti katalanas shmangu komentet për spekulimet që lidhen me interesimin e Barcelonës për Julian Alvarez, ndërsa nuk dha asnjë përgjigje edhe për të ardhmen e Ferran Torresit, duke lënë të hapur çdo skenar për afatin kalimtar të verës. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요