Sveçla: Prishtina drejt kolapsit financiar

Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar menaxhimin financiar të Komunës së Prishtinës, duke thënë se të dhënat nga raporti financiar për tremujorin e dytë të vitit 2026 tregojnë, sipas tij, një përkeqësim të situatës buxhetore.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Sveçla ka deklaruar se të hyrat vetanake të Komunës kanë shënuar rënie, ndërsa shpenzimet janë rritur krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
“Sipas Raportit Financiar të Komunës së Prishtinës për tremujorin e dytë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, të hyrat vetanake kanë rënë për 32.95%, shpenzimet janë rritur për 56.12%, ndërsa investimet kapitale janë realizuar në vetëm 10.69% të planit”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla i kundërpërgjigjet Ramës pas reagimit për raportet Kosovë-SHBA: Merru me Prishtinën
Ai ka ngritur shqetësime edhe për mjetet e shpenzuara për vendime gjyqësore dhe procedura përmbarimore.
“Për më tepër, mbi 11 milionë euro nga buxheti i Kryeqytetit janë paguar për vendime gjyqësore dhe procedura përmbarimore”, ka deklaruar ai.
Sipas Sveçlës, problemi i Prishtinës nuk lidhet me mungesën e mjeteve financiare, por me mënyrën e menaxhimit të tyre.
“Më pak të hyra. Më shumë shpenzime. Më pak investime”, ka shkruar ai, duke shtuar se “Prishtina nuk ka problem me mungesën e parave, problem është mënyra se si po menaxhohen ato”.
Ai ka akuzuar udhëheqjen komunale se pasojat e këtij menaxhimi po i bartin qytetarët.
“Faturën e këtij keqmenaxhimi po e paguajnë qytetarët”, ka përfunduar Sveçla. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요