24 vjet burg për të akuzuarin për vrasjen me thikë në Zllakuqan të Lipjanit pas një konflikti mes fëmijëve

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 24 vjet burgim Skender Krasniqin, i akuzuar për vrasjen e F.Z. në fshatin Zllakuqan të Lipjanit, në gusht të vitit 2024.
Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Sipas aktgjykimit, trupi gjykues ka rikualifikuar veprën penale nga "Vrasje e rëndë" në "Vrasje", duke e dënuar Krasniqin me 22 vjet burgim për këtë vepër.
Për veprën penale "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", ai është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim.
Gjykata ka shqiptuar ndaj tij dënim unik prej 24 vjetësh burgim.
Sipas aktakuzës, ngjarja kishte ndodhur më 7 gusht 2024, pas një mosmarrëveshjeje mes dy të miturve lidhur me komunikimet e tyre në rrjetin social TikTok. Fillimisht, djali i të akuzuarit, T.K., dyshohet se kishte plagosur me thikë një të mitur.
Pas këtij rasti, viktima F.Z., së bashku me familjarë, kishte shkuar në shtëpinë e Skender Krasniqit për të kërkuar sqarime lidhur me ngjarjen.
Sipas aktakuzës, pasi situata dukej se po qetësohej dhe F.Z. po largohej nga oborri, Krasniqi dyshohet se mori thikën nga djali i tij dhe e goditi dy herë.
Si pasojë e plagëve të marra, F.Z. u dërgua pa shenja jete në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Magurë, ku u konstatua vdekja e tij.
Aktakuza e ngarkon Krasniqin edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, pasi gjatë kontrollit në shtëpinë dhe oborrin e tij, përveç thikës së përdorur në rast, policia kishte sekuestruar edhe tri thika të tjera.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj aktgjykimit brenda afatit ligjor, pas pranimit të vendimit në formë të shkruar. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요