Deklarata e Ramës për Kosovën 'nervozon' Beogradin, Vuçiq: Realiteti nuk është i lehtë për ne

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se Serbia duhet ta pranojë realitetin se nuk ekziston më "Kosova dhe Metohia", por vetëm Republika e Kosovës.
Në një intervistë për Euronews, Rama deklaroi se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për ngërçin në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, ende nuk është e gatshme të pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet ‘Kosovë dhe Metohi’, ekziston Republika e Kosovës”, u shpreh Rama.
I pyetur për këtë deklaratë, Vuçiq tha se realiteti për Serbinë nuk është i lehtë, por shtoi se nuk pajtohet me vlerësimin e Ramës.
“Dëgjova se Edi Rama tha se duhet ta pranojmë realitetin, se nuk ka më Kosovë dhe Metohi. Realiteti nuk është i lehtë për ne, por nuk jam i sigurt se është aq rozë sa mendon Edi Rama”, deklaroi Vuçiq.
Presidenti serb shtoi se shpreson që çështjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zgjidhen në mënyrë paqësore.
“Nuk e di çfarë do të sjellë koha dhe si do t’i zhvillojë gjërat, por shpresoj vetëm që do t’i zgjidhim ato në mënyrë paqësore, përmes dialogut dhe kompromiseve”, përfundoi Vuçiq./Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요