U zgjodh oferta më e favorshme për 150 autobusë elektrikë, kushtet i kanë plotësuar vetëm dy kompani

Ministria e Transportit njofton se katër kompani kanë paraqitur ofertat e tyre në thirrjen publike për furnizimin me 150 autobusë elektrikë dhe 75 stacione karikimi.
Sipas vlerësimit të komisionit, vetëm dy kompani i kanë plotësuar kriteret e pjesëmarrjes, ndërsa Xiamen Golden Dragon Bus Co., Ltd dhe YES‑EU DENMARK A/S YUTONG nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara.
Në ankandin elektronik të mbajtur sot, ofertën më të favorshme e ka dorëzuar IKARUS Electric Zrt, në ofertë të përbashkët me EVN.
Ministria informon:
“Pas vlerësimit të ofertave, Komisioni për prokurime publike konstatoi se nga katër ofertat e dorëzuara, sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, dy operatorë ekonomikë i plotësojnë kushtet për pjesëmarrje në ankandin elektronik: BMC Otomotiv Sanayi ve Ticaret A.Ş. dhe IKARUS Electric Zrt në ofertë të përbashkët me EVN. Sipas ankandit elektronik, çmimin më të ulët e dorëzoi IKARUS Electric Zrt me EVN — 3.120.956.004 denarë pa TVSH, që nënkupton 19.796.924 denarë pa TVSH për njësi autobus dhe 2.018.899 denarë pa TVSH për njësi stacion karikimi.”
Komisioni kompetent tashmë ka propozuar përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm, ndërsa ka filluar afati ligjor prej 10 ditësh për paraqitjen e ankesave.
Ministria sqaron edhe afatet e dorëzimit të autobusëve dhe stacioneve të karikimit:
“Pas nënshkrimit të kontratës, ofertuesi i përzgjedhur është i detyruar të realizojë furnizimin sipas dinamikës së mëposhtme:– 30 autobusë elektrikë dhe 15 stacione karikimi brenda 6 muajve nga nënshkrimi i kontratës;– 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda 12 muajve;– 60 autobusë elektrikë dhe 30 stacione karikimi brenda 18 muajve.”
Ministria e Transportit thekson se procedura po zhvillohet në përputhje të plotë me Ligjin për Prokurime Publike dhe standardet e transparencës. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요