Kuçi: Simiqi me retorikë nxitëse po e paraqet zbatimin e ligjit në veri si "spastrim etnik"

Hulumtuesi i Institutit “Octopus”, Gurakuq Kuçi, ka reaguar ndaj deklaratave të nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, duke e akuzuar atë se me retorikë nxitëse po përpiqet ta paraqesë zbatimin e ligjit në Kosovë si “spastrim etnik”.
Sipas Kuçit, deklarata e Simiqit, i cili në një intervistë për median serbe Pink tha se “qëllimi është që Serbia me çdo kusht të tërhiqet në ndonjë konflikt”, është dhënë në një kohë kur institucionet e Kosovës po zbatojnë një vendim administrativ për rrënimin e 11 objekteve pa leje pranë liqenit të Ujmanit.
“Një deklaratë e tillë nuk lëshohet pas ndonjë përplasjeje të madhe apo kërcënimi ushtarak, por në një rast ku po zbatohet një vendim administrativ”, ka theksuar Kuçi.
Ai e ka lidhur këtë retorikë edhe me deklaratat e fundit të ministres serbe Snezhana Paunoviq, e cila kishte thënë se, po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.
Sipas Kuçit, reagimi i kryeministrit serb Gjuro Macut nuk ishte dënim i idesë së spastrimit etnik, por vetëm një distancim nga mënyra se si ishte shprehur deklarata.
“Problemi për të nuk ishte përmbajtja e deklaratës, por fakti që ajo mund të paraqitej si politikë zyrtare”, ka shkruar ai.
Simiqi e kthen aksionin kundër ndërtimeve pa leje në narrativë për “dëbimin e serbëve”
Kuçi rikujton se edhe në zona të tjera të Kosovës, si Batllava, Prevalla, Sibovci dhe Rugova, institucionet kanë ndërmarrë masa për ndalimin ose rrënimin e ndërtimeve pa leje, duke shkaktuar pakënaqësi dhe protesta të banorëve, por, sipas tij, askush nuk i ka cilësuar ato si “spastrim etnik”.
Ai vlerëson se Serbia po përpiqet t’i etnizojë veprimet ligjore të institucioneve të Kosovës dhe se rrënimi i objekteve pa leje pranë Ujmanit po përdoret për të ndërtuar një narrativë që, sipas tij, synon të krijojë tensione.
Në reagimin e tij, Kuçi shprehet se Beogradi po ndjek një strategji që synon realizimin e objektivave përmes luftës hibride, sulmeve terroriste ose, siç e quan ai, “ndryshimit të rrethanave gjeopolitike”.
Në fund, ai kritikon edhe qasjen e stabilokracisë ndaj Serbisë, duke pretenduar se ajo po kontribuon në forcimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, njësoj siç, sipas tij, ka ndodhur më parë me regjime të tjera autoritare. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요