Inspektorati ndalon punimet në gjashtë kantiere ndërtimi: Rrezik për jetën dhe shëndetin e punëtorëve

Inspektorati Qendror i Punës ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të punimeve në gjashtë kantiere ndërtimi, tri në Prishtinë dhe tri në Fushë Kosovë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, vendimi është marrë pas inspektimeve gjatë të cilave janë evidentuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve, për shkak të mungesës së masave të nevojshme të sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në njoftim.
Inspektorati ka bërë të ditur se punimet do të mbeten të pezulluara deri në eliminimin e plotë të të gjitha parregullsive të evidentuara.
Subjektet e inspektuara janë obliguar të ndërmarrin masat e nevojshme për përmbushjen e kërkesave ligjore, ndërsa punimet mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të konstatojnë se rreziqet janë eliminuar dhe janë përmbushur standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Inspektorati Qendror i Punës ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës dhe se do të ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Në të njëjtën kohë, institucioni u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me rigorozitet dispozitat ligjore dhe të garantojnë kushte të sigurta për punëtorët, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre mbetet prioritet./Telegrafi. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요