Eva Longoria befasoi me modelin e ri të flokëve: Ndryshimi që ia freskoi pamjen

Prerja moderne me gjatësi deri te shpatullat, ndarja anash dhe volumi i butë e kornizuan fytyrën ndryshe, ndërsa paraqitja e saj në Marbella mori menjëherë vëmendjen
Eva Longoria mori pjesë mbrëmë në ceremoninë humanitare The Global Gift Gala në Marbella, një ngjarje e njohur e organizuar nga fondacioni jofitimprurës Global Gift Foundation, i cili u ofron ndihmë fëmijëve, grave dhe familjeve në nevojë në mbarë botën.
Prania e aktores së famshme nuk ishte e rastësishme, pasi ajo mban postin e presidentes së nderit të këtij fondacioni.
Fondet e mbledhura gjatë ceremonisë The Global Gift Gala u dedikohen projekteve të ndryshme, ndër të cilat edhe qendra Casa Ángeles në Marbella. Kjo qendër ofron terapi, kujdes dhe mbështetje për fëmijët me pengesa në zhvillim dhe familjet e tyre.
Fondacioni është themeluar nga sipërmarrësja dhe filantropistja spanjolle María Bravo, mike e kahershme e Eva Longorias. Kjo mbrëmje humanitare mbahet tradicionalisht çdo korrik në Marbella dhe, vit pas viti, mbledh personalitete të njohura dhe filantropë nga vende të ndryshme.
Eva Longoria, e cila në edicionin e 15-të të The Global Gift Gala mbërriti e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, José Antonio Bastón, prezantoi edhe modelin e ri të flokëve, transmeton Telegrafi.
Ajo i ka zëvendësuar flokët e gjatë me një “lob” asimetrik , version më i gjatë i modelit bob, të stiluar me ndarje të thellë anash dhe me volum të theksuar. Ky model modern ia kornizon bukur fytyrën dhe e plotëson në mënyrë të përkryer pamjen e saj verore dhe elegante.
Parukierët dhe stilistët në mbarë botën e konsiderojnë lobin asimetrik me onde të lehta si një nga modelet më të përshtatshme për të arritur një pamje më të freskët dhe rinore.
Ja pse ky stil mund të krijojë efekt rinues.
Gjatësia deri te shpatullat ose klavikula e lehtëson vizualisht fytyrën, ndryshe nga flokët shumë të gjatë, të cilët mund ta tërheqin optikisht atë poshtë.
Ndarja anash dhe prerja me shtresa krijojnë përshtypjen e flokëve më të dendur dhe më voluminozë, duke kompensuar humbjen e natyrshme të volumit që shfaqet me kalimin e viteve.
Një rol të rëndësishëm luajnë edhe balluket më të gjata, të krehura anash, të cilat e kornizojnë butë fytyrën dhe mund ta zbusin në mënyrë diskrete pamjen e rrudhave në ballë dhe rreth syve.
Ndryshe nga modelet shumë të tendosura, të cilat shpesh i theksojnë më shumë tiparet e fytyrës dhe moshën, lobi asimetrik duket më i çlirët, modern dhe shumë elegant.
Modeli i ri i flokëve i shkon mjaft Eva Longorias, zgjedhjet e së cilës në modë marrin rregullisht vlerësime pozitive në rrjetet sociale.
Sa i përket veshjes, aktorja nuk bëri ndonjë ndryshim të madh. Ajo i mbeti besnike krijimeve glamuroze dhe plot shkëlqim, duke u paraqitur në mbrëmjen gala me një fustan të gjatë ngjyrë argjendi, të mbuluar tërësisht me xixa dhe të firmosur nga shtëpia e njohur e modës Coperni.
Aktorja, e cila është e gjatë vetëm 157 centimetra, njihet për transformimet e saj të spikatura në stil. Prandaj, adhuruesit e saj presin me të drejtë edhe ndryshime të tjera interesante në pamjen e saj. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요