Mediumi serb: Tri arsye pse Paunoviq nuk duhet të jetë më ministre

Ministrja serbe e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, po përballet me kritika të ashpra dhe kërkesa për sqarime lidhur me disa çështje të ngritura në media, duke përfshirë deklaratat e saj për Kosovën, të ardhurat e raportuara nga një institucion shëndetësor i shuar dhe pretendimet e mëhershme për shpenzime udhëtimi.
Sipas të dhënave të deklaruara nga vetë Paunoviq në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi, ajo ka qenë ushtruese e detyrës së drejtoreshës së këtij institucioni nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.
Një ditë më pas, ajo mori detyrën e ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë.
Raportimi ngre pikëpyetje se si Paunoviq ka vazhduar të deklarojë të ardhura nga pozita e drejtoreshës së një institucioni që, sipas të dhënave të publikuara, ishte çregjistruar më herët.
Paunoviq nuk iu përgjigj pyetjeve të Nova-s lidhur me bazën mbi të cilën ka marrë të ardhura nga ky institucion.
Nemanja Nenadiq nga organizata Transparency Serbia tha se rasti kërkon sqarime jo vetëm nga ministrja, por edhe nga Qeveria e Serbisë dhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
Sipas tij, të dhënat e Agjencisë tregojnë se Paunoviq ka pasur të ardhura nga funksioni në Institucionin Farmaceutik të Pejës edhe gjatë kohës kur ishte deputete. Ndërkohë, të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve, sipas tij, tregojnë se institucioni ishte çregjistruar më herët.
Nenadiq ngriti pyetje se kush e ka paguar pagën e saj, nëse institucioni ishte fshirë nga regjistri, si dhe nëse ishte emëruar ndonjë ushtrues i ri detyre pas marrjes së funksionit ministror nga Paunoviq.
Çështja e Institucionit Farmaceutik të Pejës nuk është e vetmja polemikë që ka shoqëruar ministren serbe.
Paunoviq është kritikuar ashpër edhe për një deklaratë të fundit lidhur me Kosovën, kur tha se, po të kishte qenë në vendin e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.
Më vonë ajo tha se kjo ishte një nga deklaratat më të rënda që kishte bërë dhe se termin “spastrim etnik” do ta zëvendësonte me “deportim”, por deklaroi se qëndronte pas fjalëve të saj.
Deklarata shkaktoi reagime të ashpra në Serbi, Kosovë dhe në Bashkimin Evropian.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata nuk përfaqëson qëndrimin e pushtetit në Beograd, ndërsa ministri i Brendshëm dhe bashkëpartiaku i Paunoviqit, Ivica Daçiq, i cilësoi sulmet ndaj saj si “të turpshme dhe hipokrite”.
Nga ana tjetër, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e kishte cilësuar deklaratën si “të tmerrshme” dhe kishte shprehur qëndrimin se nuk mund ta imagjinonte që Paunoviq të vazhdonte të ushtronte detyrën e ministres pas një deklarate të tillë.
Autoritetet e Kosovës e kanë shpallur gjithashtu Paunoviqin person non grata.
Në të kaluarën, Paunoviq është përballur edhe me pretendime lidhur me shpenzimet e udhëtimit.
Sipas një hulumtimi të CINS, ajo kishte marrë rreth 22 mijë euro nga Kuvendi i Serbisë për shpenzime udhëtimi në relacionin Beograd–Pejë gjatë periudhës 2016–2020, kohë kur ishte deputete.
Sipas këtij hulumtimi, Paunoviq gjatë asaj periudhe jetonte me familjen në Beograd dhe jo në Kosovë.
Ajo i kishte mohuar pretendimet, duke deklaruar se për këtë çështje “gënjehet kolektivisht”, por, sipas raportimit, nuk kishte dhënë shpjegime të hollësishme për mënyrën se si ishin krijuar këto shpenzime.
Të gjitha këto çështje kanë rikthyer në vëmendje pyetjet mbi përgjegjësinë politike dhe institucionale të ministres serbe, ndërsa deri tani nuk ka pasur njoftim për shkarkimin e saj nga detyra. ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요