Nis transformimi i hyrjes së Spitalit të Gjilanit

Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka nisur realizimin e projektit për rregullimin e parkingut dhe zgjerimin e hyrjes kryesore, me qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të mira për pacientët, vizitorët, autoambulancat dhe stafin shëndetësor.
Sipas njoftimit të Spitalit, projekti do të mundësojë shtimin e hapësirave për parkim, qarkullim më të sigurt të automjeteve dhe këmbësorëve, si dhe funksionalizim më efikas të hyrje-daljeve në objekt.
Menaxhmenti i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit ka bërë të ditur se ky investim është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve infrastrukturore dhe ofrimin e shërbimeve më efikase e më të sigurta për pacientët dhe personelin shëndetësor.
Gjatë zhvillimit të punimeve, qytetarëve u është kërkuar mirëkuptim pasi mund të ketë ndryshime të përkohshme në qarkullim dhe në shfrytëzimin e hapësirave të parkimit.
Nga Spitali kanë apeluar që të respektohet sinjalistika e vendosur dhe udhëzimet e personelit, në mënyrë që punimet të zhvillohen sipas planit dhe pa pengesa. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요