Xabi Alonso e do me patjetër, klubi anglez refuzon ofertën 64-milionëshe të Chelseas

Chelsea nuk e ka ndërmend të ndalet në afatin kalimtar të verës. Pasi theu rekordin e klubit për transferimin e Morgan Rogers, "Blutë" raportohet se kanë bërë një tjetër lëvizje të madhe në merkato, por këtë herë kanë marrë një përgjigje negative nga Bournemouth për mesfushorin Alex Scott.
Sipas BBC Sport dhe mediave të tjera britanike, Chelsea paraqiti një ofertë prej 64 milionë funtesh (rreth 86 milionë dollarë) për 22-vjeçarin, por Bournemouth e refuzoi menjëherë, duke e bërë të qartë se dëshiron ta mbajë lojtarin edhe përtej kësaj vere.
Megjithatë, situata kontraktuale e Scott mund të komplikojë planet e Bournemouth. Mesfushori ka refuzuar ofertën për rinovim dhe kontrata e tij skadon pas dy vitesh. Klubi është i vetëdijshëm për këtë zhvillim, por nuk ka ndryshuar qëndrim dhe nuk dëshiron ta shesë.
Chelsea sapo ka investuar 117 milionë funte për të transferuar Morgan Rogers nga Aston Villa, ndërsa gjatë kësaj vere ka afruar edhe Marco Palestra, Emmanuel Emegha, Geovany Quenda dhe Denner, duke vazhduar revolucionin e nisur nga trajneri Xabi Alonso.
Megjithatë, Scott nuk është objektiv vetëm i londinezëve. Arsenali, Manchester City dhe Manchester United gjithashtu kanë shfaqur interes për anglezin, ndërsa edhe Tottenhami e kishte ndjekur më herët përpara se të transferonte Mateus Fernandes dhe Sandro Tonalin.
Në letër, Chelsea tashmë ka një nga dyshet më të shtrenjta në mesfushë me Moises Caicedon dhe Enzo Fernandez. Megjithatë, e ardhmja e argjentinasit mbetet e paqartë.
Raportet bëjnë të ditur se Fernandez ka shprehur dëshirën për t'u larguar, ndërsa Chelsea është i gatshëm të dëgjojë oferta vetëm nëse arrijnë vlerën prej 120 milionë funtesh. Gjithsesi, mundësitë për një transferim janë zbehur ndjeshëm pasi Real Madridi ka bërë të ditur publikisht se nuk planifikon të transferojë mesfushorin.
Është përfolur gjithashtu për një ribashkim me ish-trajnerin e Chelseat, Enzo Maresca, si dhe për një kalim te Atletico Madridi, por asnjë prej këtyre klubeve nuk pritet të afrohet me kërkesat financiare të londinezëve.
Interesimi për Scott duket se nuk lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e Fernandez. Xabi Alonso dëshiron të shtojë konkurrencën në mesfushë, pasi problemet e shpeshta me lëndime të Romeo Lavias dhe Dario Essugos e kanë lënë shpesh skuadrën me mungesë alternativash./Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요