Paris Saint-Germaini fton dy talentët e Prishtinës në prova

Dy futbollistët e talentuar të Prishtinës, Lorik Mehmeti dhe Rin Ahmeti, kanë marrë një ftesë të veçantë nga gjiganti francez Paris Saint-Germain.
PSG-ja, kampioni aktual i Ligës së Kampionëve, ka ftuar zyrtarisht dy talentet e klubit kryeqytetas për të marrë pjesë në një periudhë stërvitore dhe vlerësimi në Akademinë e PSG-së.
Sipas njoftimit të Prishtinës, Mehmeti dhe Ahmeti do të qëndrojnë në kampusin e klubit francez në Poissy, ku do të stërviten dhe do të vlerësohen nga stafi i akademisë së PSG-së.
Periudha stërvitore do të zhvillohet nga 27 korriku deri më 9 gusht 2026.
Kjo ftesë përbën një mundësi të rëndësishme për dy futbollistët e rinj, të cilët do të kenë mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre në një prej akademive më të njohura të futbollit evropian.
Prishtina e ka cilësuar ftesën si një vlerësim për cilësinë, potencialin dhe punën e vazhdueshme të dy futbollistëve.
Në njoftimin e klubit theksohet gjithashtu se kjo është dëshmi e punës që po bëhet në riorganizimin dhe avancimin e akademisë së të rinjve të Prishtinës, me fokus në identifikimin, zhvillimin dhe promovimin e talentëve.
‘Bardhekaltrit’ synojnë që në të ardhmen akademia të shërbejë si një bazë e rëndësishme për ekipin e parë, me futbollistët e rinj të klubit që pritet të kenë rol gjithnjë e më të madh.
Mehmeti dhe Ahmeti tashmë kanë përpara një periudhë të rëndësishme, pasi për rreth dy javë do të kenë mundësinë të punojnë në ambientet e akademisë së PSG-së dhe të tregojnë potencialin e tyre para trajnerëve dhe skautëve të klubit francez./Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요