Paralajmërimi për stuhi, AME del me apel urgjent për qytetarët

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), u ka bërë thirrje qytetarëve të shtojnë kujdesin dhe gatishmërinë, pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) për zhvillime të fuqishme konvektive që priten gjatë ditës së sotme.
Sipas njoftimit të AME-së, priten stuhi lokale të shoqëruara me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta, të cilat mund të shkaktojnë dëme dhe vështirësi në disa zona të vendit.
“Sot priten zhvillime të fuqishme konvektive, të cilat do të sjellin stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta”, thuhet në njoftim.
Paralajmërimet për stuhi, IKSHPK jep rekomandime për qytetarët
Agjencia ka paralajmëruar se moti i ligë mund të sjellë përmbytje të shpejta lokale, dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, si dhe probleme në rrjetin elektroenergjetik dhe sistemet e telekomunikacionit.
“Rrezik i lartë nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët”, theksohet në njoftim.
AME u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë stuhive të qëndrojnë në ambiente të sigurta, të shmangin strehimin nën pemë të larta, pranë objekteve metalike dhe shtyllave elektrike, si dhe të kenë kujdes të shtuar në komunikacion.
“Qëndroni në ambiente të sigurta gjatë stuhisë dhe shmangni lëvizjet e panevojshme”, apelon Agjencia.
Po ashtu, qytetarëve u rekomandohet të sigurojnë sendet në ballkone dhe oborre që mund të dëmtohen nga era ose breshëri.
Moti sot, Kosova në nivelin portokalli të sigurisë – IHMK njofton për shi, breshër e stuhi
Sipas AME-së, Njësitë e Zjarrfikës dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë në të gjithë territorin e Kosovës.
Për çdo rast emergjent, qytetarët mund të kontaktojnë pa pagesë Qendrën Operative Emergjente në numrin 112, Policinë e Kosovës në 192, Zjarrfikësit në 193 dhe Ndihmën e Shpejtë në 194. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요