미디어 커버리지1건1개 미디어
general
중도 성향

Mohimi i krimeve të luftës nga nacionalistët serbë po merr hov sërish

Telegrafi - Lajme
Mohimi i krimeve të luftës nga nacionalistët serbë po merr hov sërish

Ëndrra për spastrim etnik në Kosovë, kërkesa për përsëritje të Srebrenicës në Bosnjë, përpjekje qesharake të disa komunave malazeze për çnjohjen e Kosovës - kjo është ajo "bota serbe" që sërish ka nisur ta trazojë Ballkanin.

Enver Robelli

Nganjëherë nuk dihet nëse Serbia, e ashtuquajtura "Republika Serbe" në Bosnjë dhe disa komuna në Mal të Zi të kontrolluara nga nacionalistët serbë gjenden në vitin 2026 apo në vitin 1998. Tashmë opinioni është informuar mbi deklaratën e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snezhana Paunoviq. Në një intervistë për një medium propagandistik të Beogradit, Paunoviq tha: "Sikur të isha Sllobodan Millosheviqi, do ta pastroja etnikisht Kosovën më 1998".

Paunoviq, funksionare e Partisë Socialiste të Serbisë, nuk dha dorëheqje nga pozita e ministres. Atë e mbrojti Ivica Daçiqi, ministër i Brendshëm i Serbisë. Presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e dënoi deklaratën e Paunoviqit, madje tha se janë 250 mijë serbë të "spastruar etnikisht" nga Kosova. Në regjistrimin e popullsisë më 1991, të cilin shqiptarët e Kosovës e bojkotuan në shenjë proteste ndaj masave represive të regjimit serb, vetë Serbia evidentoi 194'190 serbë në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati deklaruar më 2019 se në Kosovë jetojnë rreth 95'000 serbë. Rreth 100 mijë serbë mund të jenë larguar nga Kosova: disa nga frika se mund të bëheshin viktima të hakmarrjes së shqiptarëve gjaknxehtë, disa janë shpërngulur vullnetarisht, disa kanë shitur pronat në Kosovë dhe kanë ndërtuar një jetë të re në Serbi. Arsyet janë komplekse.

Të thuhet se nga Kosova qenkan "spastruar etnikisht" 250 mijë serbë e të mos përmendet fare dëbimi i dokumentuar i gati 1 milion shqiptarëve dhe vrasja e gati 10 mijë civilëve shqiptarë në vitet 1998-1999 nga ana e forcave serbe të sigurisë, kjo i ngjan propagandës serbe të viteve 1980-1990. Atëbotë në mediat serbe thuhej se nga Kosova janë shpërngulur 400 mijë serbë. I ngjan po ashtu racizmit të shkrimtarit Dobrica Qosiq, i cili për shqiptarët shkruante: "Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Europian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit - kundër popullit serb".

Refuzimi për t'u përballur me të kaluarën është dëshirë për t'i përsëritur krimet. Prandaj dëgjohen klerikë të Kishës Serbe duke thënë se duhet pritur, sepse kushedi çfarë do të ndodhë në 20 vitet e ardhshme. Nga këto deklarata jehon dëshira për "rikthim", pra për pushtim të Kosovës.

Dhe jo vetëm të Kosovës. Çdo verë opinioni i gjerë ballkanik është dëshmitar i mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës dhe glorifikimit të krimeve të luftës. Ja disa shembuj nga ditët e fundit:

Në rrugën rajonale Bratunac-Potoçari (Bosnja lindore) është shfaqur sërish fotografia e një fëmije të vrarë në Serbi më 2008, e keqpërdorur si "viktimë serbe e luftës" - një farsë e përsëritur e vjedhjes së identitetit për qëllime propagandistike.

Në një rrugë në Bosnjë, mbi shenjat e trafikut janë ngjitur postera me slloganin makabër "Nozh, zhica, Srebrenica" (Thika, tela, Srebrenica), që lartëson gjenocidin e korrikut 1995.

Krahas këtyre slloganeve është vendosur imazhi i Ratko Mlladiqit, kriminelit të luftës të dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës, me mbishkrimin cinik "Evropa e di, por nuk pranon".

Në Liqenin e Zvornikut u mblodhën nacionalistë serbë, kënduan, festuan dhe iu lutën Zotit që Srebrenicën ta përsëriste tri herë.

Në Regatën e Drinës në Bajina Bashtë (Serbi), pjesëmarrësit kënduan në kor këngën nacionaliste "Ne volim te Alija" (Nuk të dua, Alija), duke shpërndarë urrejtje ndaj boshnjakëve, ndërsa në varka shfaqej ikonografi me fytyra kriminelësh lufte.

Mohimi i krimeve të luftës në të ashtuquajturën "botë serbe" është bërë pjesë e argëtimit, pra ka kaluar nga politika dhe mediat propagandistike në jetën e përditshme. Është bërë "normale" që edhe peshkatarët të ëndërrojnë vrasjen e njerëzve të etnive të tjera.

Në një koment në revistën "Vreme", gazetari Filip Shvarm pyet: "Pse fasadat e Beogradit duken sikur i ka shkruar Garda e Arkanit në Erdut (të Kroacisë) më 1992? Dhe si e ka krijuar pushteti një klimë shoviniste në të cilën është krejtësisht normale të rrahësh shkrimtarin dhe aktivistin për paqe Vladimir Arsenijeviq?"

Paralelisht me këto poshtërsi, në Mal të Zi nacionalistët (pro)serbë kanë nisur një fushatë qesharake. Deri më tani dy komuna, ajo e Zetës dhe ajo e Plevlës, kanë marrë vendim për çnjohjen e Kosovës. Natyrisht që këto vendime nuk kanë asnjë efekt juridik, por ato tregojnë se cilat janë brengat e fronteve proserbe dhe proruse në Mal të Zi. Qeveria e Malit të Zi, më 9 tetor 2008, nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviqit, e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Kur më 1995 e sulmonte marrëveshjen e Daytonit, e cila ndali luftën në Bosnjë, Aleksandar Vuçiqi kishte parashikuar: “Në fund, serbët do të ngrenë kokën dhe do t’i marrin tokat e tyre. Duhet vetëm edhe pak durim”. /Telegrafi/ ...

전문 보기

이 뉴스, 어떠셨어요?

탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요

관련 뉴스

관련 뉴스 제보는 로그인 후 가능합니다.