Roboti humanoid i Teslas do të mësojë nga punëtorët në Gigafactory

Tesla do të përdorë punonjësit e saj për të trajnuar robotin humanoid Optimus, duke regjistruar lëvizjet e tyre gjatë procesit të montimit të automjeteve elektrike.
Të dhënat e mbledhura në fabrikën Gigafactory në Grünheide të Gjermanisë do të përdoren për ta mësuar robotin që të kryejë në mënyrë autonome detyrat që aktualisht i bëjnë punëtorët.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, punonjës të përzgjedhur të Teslas do të pajisen me kamera të vendosura në çanta shpine gjatë punës së tyre. Kamerat do të regjistrojnë mënyrën se si punëtorët përdorin veglat, manipulojnë pjesët e automjeteve dhe kryejnë hapat e ndryshëm të procesit të prodhimit.
- YouTube www.youtube.com
Tesla synon që këto të dhëna të ndihmojnë Optimus të mësojë lëvizjet njerëzore dhe më pas t'i përsërisë ato në ambientet industriale. Kompania ka përdorur një qasje të ngjashme edhe në Shtetet e Bashkuara, ku operatorë të veçantë mbledhin të dhëna për trajnimin e robotëve humanoidë.
Megjithatë, iniciativa ka ngritur edhe shqetësime mes punëtorëve dhe sindikatave, pasi ekziston frika se robotët mund të përdoren në të ardhmen për të zëvendësuar një pjesë të fuqisë punëtore. Në Gjermani, përfshirja e sistemeve teknologjike që monitorojnë lëvizjet ose performancën e punonjësve mund të kërkojë konsultime me përfaqësuesit e punëtorëve.
Krahas fabrikës në Grünheide, Tesla po zgjeron aktivitetet e saj robotike edhe në Reutlingen të Gjermanisë, ku po zhvillon komponentë dhe pajisje për prodhimin masiv të Optimus.
Shefi ekzekutiv i Teslas, Elon Musk, e ka përshkruar Optimus si një nga produktet më të rëndësishme të kompanisë, duke pretenduar se robotët humanoidë mund të bëhen një burim kryesor i të ardhurave në të ardhmen. Megjithatë, prodhimi në shkallë të gjerë mbetet një sfidë teknologjike dhe industriale për kompaninë. /Telegrafi/ ...
이 뉴스, 어떠셨어요?
탭 한 번으로 반응 · 로그인 불필요